Lëvizja Vetëvendosje është tallur me ata që do të jenë në protestën në mbrojtje të UÇK-së e kundër Gjykatës Speciale – që mbahet në Tiranë të premten. Kanë sulmuar madje edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.


Në një reagim të zakonshëm, duke arsyetuar veten dhe duke përdorur argumente nga e kaluara për faktin se nuk votuan pro, por as kundër saj, ata i kanë quajtur “aktorë” ata që po flasin për pjesëmarrje në protestë. Për më tepër, kanë kritikuar Shqipërinë sikur nuk ka bërë asgjë në forume ndërkombëtare për drejtësinë në Hagë, dhe nuk kanë përmendur asnjë akt që të ketë bërë Qeveria që ata drejtojnë prej se krerët e UÇK-së janë në Hagë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.”, shkruan Vetëvendosje.

“Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, shkruajnë ata në një komunikatë.

Kjo parti thekson se drejtësia nuk arrihet në sheshin “Skënderbeu” dhe janë përpjekur të japin ide se çka mund të bëjë Shqipëria ose ndonjë shtet tjetër për këtë proces.

“Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë. Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin”, thuhet në komunikatë.