Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas sulmeve të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj gjyqtarëve të kësaj gjykate, duke i konsideruar ato si të pamatura, derisa kanë kërkuar që të ruhet pavarësia e saj.
Në reagimin e tyre thuhet se pavarësia e kësaj gjykate nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
“Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese potencohet se bazohen “ekskluzivisht” në Kushtetutën e Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”.
Gjykata ka apeluar “të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues”.
Vetëm përmes respektimit të këtij parimi, ata konsiderojnë se mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në fjalimin e tij si i mandatuar për kryeministër të Qeverisë së re, Albin Kurti, e sulmoi në mënyrë të ashpër Gjykatën Kushtetuese për vendimet e saj. U ndal edhe te pesë nga gjyqtarët e Kushtetueses, duke i quajtur ata “relikte të trashëgimisë jo-kulturore”.
Kurti, teksa ka folur për vendimet e Kushtetueses, theksoi se ajo një herë të vonon e pastaj të rrëzon. Ai pretendoi se vendimet e Kushtetueses janë zakonisht të mbrapshta.









