Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka mohuar që shefi i tij të jetë takuar në Zvicër me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç.
Këto komente, Kadiu i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që gazeta prestigjioze zvicerane “Neu Zürcher Zeitung”, raportoi për takime të fshehta të Bislimit dhe Gjuriç-it në Zvicër, me ndërmjetësimin e Qeverisë zvicerane.
“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, këto takime “nuk janë ‘të fshehta’”. “Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime ‘të fshehta’, e aq më pak me Marko Gjuriç”.
Në njërin nga këto takime në Zvicër, Kadiu pohoi se Bislimi ka qenë i ftuar si folës, por, sipas tij, “në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriç”.
“Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriç dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, potencoi ai.
Në lidhje me artikullin e NZZ-së ka reaguar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka pretenduar se i njëjti “është lajm i rremë”.
Ajo ka kritikuar edhe mediat e Kosovës që e kanë shpërndarë shkrimin e prestigjiozes zvicerane. Madje, ka mbajtur edhe leksione, duke thënë se kjo “nuk është gazetari, është papërgjegjësi”.
“Lajm i rremë në NZZ, lajm i rremë në disa platforma kosovare. Zelli për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbetet i njëjtë, përkundër fakteve të qarta që e demantojnë plotësisht këtë narrativë. Kjo nuk është gazetari është papërgjegjësi”, shkroi Kusari-Lila në Facebook, derisa e ka shpërndarë postimin e Kadiut.









