Artane Rizvanolli, Ministre në detyrë e Ekonomisë, ka thënë se nuk është marrur shumë me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë, pasi që, siç thekson ajo, rasti ka ndodhur para se ajo të vinte në pushtet.

“Rasti i Martin Berishajt, nuk i di detajet, duke qenë se edhe arsyeja kryesore se pse nuk i di detajet e nuk jam interesuar shumë, është se rasti që po hetohet, ka të bëjë me periudhën para qeverisjes tonë”, deklaroi Rizvanolli në emisionin EURO që transmetohet në televizionin 7.

Duke folur për akuzat se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është e kapur nga “mafia energjetike”, Rizvanolli theksoi se “kjo është e pavërtetë”, pasi që, sipas saj, duhet të prezantohen “faktet” për këtë.

“Natyrisht që kjo është e pavërtetë dhe ata që flasin duhet të prezantojnë së paku një gjysmë fakti për këtë që po e thonë. Nuk mund të dalësh dhe të shpifësh një gjë për dikë e aq më tepër për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Çka është kjo punë kështu? Nëse flasim për importin, sepse janë disa individë të LDK-së që po flasin për këtë punë, në vitin 2017, në kohën e qeverisjes Mustafa, ka qenë koha rekord e importit të energjisë elektrike. 22% e konsumit të përgjithshëm ka qenë import i energjisë elektrike dhe shifra të tilla rrallë që përsëriten më. Atëherë konsumi ka qenë shumë më i ulët, ndërsa sot shtohen mbi 20 mijë njësorë të rinj në vit të energjisë elektrike”, shtoi ajo.

Më 26 qershor të vitit 2025, Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë si i dyshuar nga organet e rendit për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Për të njëjtat vepra penale, ai ishte intervistuar edhe në mars të vitit 2024.

Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para një komisioni parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.

Ai ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb, për të dhënë gjoja këshilla në lidhje me tregjet e energjisë në Ballkan.

Se ka marrë shuma të majme parash nga kompania GEN-I, dega në Beograd, Berishaj e ka pranuar në intervistën e tij para Prokurorisë Speciale, për të cilën VOX Kosova kishte raportuar më 23 janar të këtij viti.

Berishaj kishte themeluar edhe një kompani në Mal të Zi për këtë punë, “MB Consulting”, e cila nuk kishte asnjë punëtor, pos atij vetë dhe të cilën ai nuk e kishte deklaruar fare në deklarimin e pasurisë.

Ai kishte edhe dy kompani të tjera në Kosovë që po ashtu nuk i kishte deklaruar.

Pos këtyre, Berishaj kishte tërhequr shuma që kapin shifrat e milionave nga bankat në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe asnjëherë nuk është sqaruar se çfarë ndodhi me paratë kesh që i ka tërhequr.

Përkundër këtyre dyshimeve për afera korruptive, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar atë nga pozita e ambasadorit.

Madje, nga partia që ka pushtetin në Kosovë, e kanë mbrojtur vazhdimisht Berishajn, duke i cilësuar si “të pavërteta” raportimet për të.