Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se e gjithë, siç e konsideron ajo, “lufta” kundër Presidentes Vjosa Osmani, po bëhet për shkak të qëndrimit të saj ndaj Listës Serbe.
Këto komente, Haxhiu në emisionin “DebatPlus”, pasi që u pyet për të komentuar gjuhën brutale që Osmani përdori ndaj gazetarëve, si reagim i saj ndaj arrestimit të kameramanit të mediumit “Papraci”, i cili po xhironte për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes Osmani.
“Unë mendoj që krejt kjo luftë po bëhet për shkak të qëndrimit të Presidentes Osmani, dhe më duhet ta them këtë, sepse besoj që kjo edhe qëndron, qëndrimit të saj kundrejt Listës Serbe. Dhe kjo është e pa pranueshme”, tha Haxhiu.
Të martën, Osmani, në një konferencë për media, ka thënë se mos zgjedhja e një nënkryetari të Kuvendit, në këtë rast atij serb, nuk mund ta bllokojë funksionimin e Parlamentit, pasi që ka vlerësuar se Kuvendi si institucion nuk duhet të bllokohet, sepse, sipas saj, do të cenonte themelet e shtetit. Ky qëndrim i të parës së vendit ishte në linjë të plotë me VV-në.
“Bllokimi i konstituimit të Kuvendit për shkak të mos zgjedhjes së vetëm një nënkryetari gjatë seancës konstituive, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe vetë themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë”, deklaroi Osmani.
Ajo njoftoi se ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi që Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, pas ankesës së Listës Serbe.









