Partia Demokratike e Kosovës është ankuar në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për mospërsëritjen e votimit në Mitrovicë.
“PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë. Provat e paraqitura tregojnë qartë se procesi është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve është ndryshuar”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Me kërkesën drejtuar Gjykatës, nga PDK thonë se kërkojnë shqyrtim të plotë të çështjes dhe marrjen e një vendimi “që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës”.
“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend”.
Në Mitrovicë, ata thonë se vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. “Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”.









