“Si ka mundësi që marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë më të madh strategjik, ka arritur në pikën më të ulët që kanë njohur ndonjëherë raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së?”, e ka pyetur Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Këtë pyetje, Rama ia bëri Kurti përmes Facebook-ut, pasi që në fund të javës së kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi raundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, përkatësisht Ministrin e Jashtëm serb, Marco Gjuriç, ndërkohë që Kosova vazhdon të mos e ketë një dialog të tillë, pasi ai ishte pezulluar në shtator të vitit të kaluar.
Përderisa Serbia nis dialogun strategjik me SHBA-të, Rama pohon se Kosova është në “izolim strategjik”.
“Brenda pak ditësh, Shtetet e Bashkuara artikuluan qartë prioritetet e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën”, shkroi Rama.
“Me Serbinë nisi Dialogu Strategjik, niveli më i lartë i bashkëpunimit dypalësh. Në tavolinë janë marrëveshje për energjinë dhe sigurinë energjetike, investime në infrastrukturë, zhvillimin e rrjetit 5G, bashkëpunimin në mbrojtje dhe industrinë ushtarake, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe projekte të përbashkëta afatgjata”, shtoi ai.
Ndërkohë, mesazhi për Kosovën, Rama thekson se “ishte krejt i kundërt!”. “Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Dialogu Strategjik me Kosovën mbetet i PEZULLUAR!!!!”.
“Ish-ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier paralajmëroi se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze dhe se qeveria e ardhshme duhet t’i adresojë prioritetet amerikane, përfshirë projektet e diversifikimit energjetik”.
Këto janë qëndrime zyrtare të aleatit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, thekson Kryetari i Prishtinës dhe, si të tilla, ai vlerëson se “janë shumë shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”.
Në këtë drejtim, Rama konsideron se Kryeministri i Kosovës, në këtë rast Albin Kurti, ka detyrim t’u japë qytetarëve një përgjigje të qartë.
“Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar, besimi është vënë në pikëpyetje dhe Uashingtoni flet publikisht për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë?”.









