Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë kushte Kosovës për fillimin e Dialogut Strategjik.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se kushtet kanë të bëjnë edhe me zotimet e Kosovës në raport me serbët.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Në shtator të vitit të kaluar, Ambasada e SHBA-ve njoftoi për vendimin për pezullimin e dialogut, duke thënë se ai u mor për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, e të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Vendimi erdhi pasi Qeveria e Kosovës ndërmori disa veprime në veri të vendit.

Në anën tjetër, SHBA-të kanë nisur tashmë raundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë.

Në këtë proces synohet thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Një nga kushtet kryesore që SHBA-të, por edhe Bashkimi Evropian, i kërkojnë Kosovës është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, e më kryesorja themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sigurimi i një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.