“Pretendim i çuditshëm”, ka thënë Luka Misetiç, avokati i Hashim Thaçit, në fjalën e tij përfundimtare në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke iu kundërpërgjigjur kështu pretendimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale e cila, duke u përpjekur që të nënvlerësojë dëshmitë e Wesley Clark-ut, James Rubin-it e të tjerëve, theksoi se “nuk kishin informacione”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar përpiqet ta zhvlerësojë dëshminë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë duke i paraqitur ata si persona që thjesht nuk kanë qenë të informuar për funksionimin e brendshëm të UÇK-së”, tha Misetiç.

Pretendimi i Prokurorisë, thekson Misetiç, se dëshmitarët ndërkombëtarë kanë qenë të painformuar “është i çuditshëm, duke pasur parasysh rolin qendror të komunikatave të UÇK-së, deklaratave politike dhe intervistave mediatike në çështjen e ZPS-së se qëllimi i përbashkët kriminal i pretenduar u është komunikuar niveleve më të ulëta të UÇK-së përmes këtyre dokumenteve publike”.