Prokuroria e Gjykatës Speciale është përpjekur t’i nënvlerësojë dëshmitë e dëshmitarëve ndërkombëtarë, si atë të ish-Komandantit të NATO-së, Wesley Clark, ish-ndihmëssekretari amerikan të shtetit, James Rubin, e të tjerëve, që ishin thirrur nga mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj tyre, duke thënë se “nuk kishin informacione”.
“Gjykata dëgjoi gjithashtu dëshmi të drejtpërdrejta nga shtatë dëshmitarë të mbrojtjes, të gjithë ndërkombëtarë. Secili prej tyre ishte i përfshirë në përpjekje diskrete për të sjellë paqe dhe administrim në Kosovë, dhe për këto përpjekje duhet të vlerësohen. Por nëse përfshirja e tyre në këtë çështje dhe vëzhgimet e tyre të kufizuara kanë vlerë për qëllimet e kësaj gjykate, kjo është një çështje krejt tjetër”, tha Prokurorja e Speciales, Kimerly West.
“Në pjesën më të madhe, këta shtatë dëshmitarë ndërkombëtarë u hodhën në një situatë me shumë pak njohuri paraprake për aktorët e përfshirë; nuk e flisnin gjuhën; ndërvepruan ballë për ballë me aktorët kryesorë vetëm disa herë; pothuajse kurrë nuk panë rregulla, rregullore, urdhra apo komunikata të UÇK-së; dhe nuk ishin të njohur me strukturën e UÇK-së. Për kontekstin e detyrave të tyre shumë specifike, kjo shtresë e pakët informacioni mund të ketë qenë e mjaftueshme, por është tejet e pamjaftueshme për gjetjen e saktë të fakteve nga kjo gjykatë”.








