Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar nga 45 vjet dënim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në total, i bie që Prokuroria ka kërkuar 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së.
“ZPS-ja kërkon shpalljen fajtore për të gjitha 10 pikat e aktakuzës dhe shqiptimin e një dënimi të vetëm prej 45 vjetësh burg, bazuar në kontributet individuale në krimet që janë të përfshira në aktakuzë”, tha Prokurorja e Speciales, Kimerly West.
Këtë kërkesë, Prokurorja e bëri të ditur në seancën e së hënës, ku ka filluar procesi i fjalëve përfundimtare të palëve.
Pas tyre, fjalën përfundimtare do ta kenë mbrojtësit e viktimave dhe më pas mbrojtja e të akuzuarve.
Në seancën e fundit, më 18 shkurt, krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.
Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.








