Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që i fitoi zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit – ka thënë se shumë shpejt do ta takojë Presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar në lidhje me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri, pasi që së shpejti Osmanit i përfundon mandati.
Këto komente, Kurti i ka bërë për gazetarë pas një vizite që ka pasur në Postën e Kosovës, disa ditë pasi që Osmani shprehu hapur dëshirën edhe për një mandat në krye të shtetit.
“Ne së pari do të presim certifikimin e rezultatit. Duhet të konstituohet Kuvendi dhe të shohim përbërjen e legjislaturës së 10-të. Pra, duhet ta shohim përbërjen e legjislaturës së 10-të dhe më pastaj të ecim tutje”, tha Kurti.
“Por, ashtu siç kam thënë sot është dita e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takoj Presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë njëherë bashkë për rrugën përpara. Por ju e keni parasysh, që njëherë është konstituimi i Kuvendit, pastaj është formimi i Qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të ri”, shtoi kreu i VV-së.









