Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën e saj edhe për një mandat në krye të vendit.

“Synoj që të vazhdoj punët e mira për qytetarët e Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë tek dera duhet të vazhdohen sepse është interesi më i mirë i Republikës tonë”, tha Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Megjithatë unë jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të tretat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin në dy pika themelore: e para është në qoftë se dojnë ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës dhe e dyta nëse dojnë ta dëgjojnë vullnetin qytetar”, shtoi.

Osmani deklaroi se pret formimin e institucioneve të reja dhe paralajmëroi bisedime për mbështetje të kandidaturës së saj.

Por, edhe theksoi se synon të vazhdojë angazhimin politik, edhe nëse nuk zgjidhet presidente.

Kjo deklaratë e Osmanit vjen një ditë pasi që Kryetari i VV-së, Albin Kurti, tha se për çështjen e Presidentit fillimisht do të bisedojë me Presidenten aktuale dhe pastaj me partitë opozitare.

Këto komente, Kurti i bëri në një konferencë për media, ku shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, pasi që partia e tij, ka marrë mbi 49 për qind të votave.

“Është tepër herët të flasim tani sonte do të festojmë dhe jo vetëm sonte. Por, natyrisht që nuk do të vonohemi që ta trajtojmë edhe këtë çështje. Na duhet që të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e Presidentes apo Presidentit të ardhshëm, por siç e kam thënë edhe mbrëmë në një emision në RTK paraprakisht do të ulem e të bisedojë me Presidenten aktuale”, ka thënë Kurti.