Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, ka akuzuar kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, se po e shfrytëzon çështjen e buxhetit për “fushatë zgjedhore”.

“Çdo kush që merr vesh në çështjet e buxhetit dhe në çështjet komunale e di fare qartë se kjo çështje nuk është një çështje takimesh, sepse nuk zgjidhet edhe nëse mbahen edhe dhjetë takime të tilla. Kryetari i komunës po tenton që ta përkthejë në fushatë zgjedhore dështimin dhe falimentimin e tij, duke pasur qasje bllokuese”, tha Azemi.

Ai shtoi se Rama po tenton të paraqesë dështimin e tij si krizë institucionale, me qëllim që ta përdorë politikisht.

Azemi shtoi se situata me buxhetin nuk është e pazakontë dhe se edhe komuna e Gjilanit po përballet me një problem të ngjashëm.

“Pra, veç qasja është bllokuese. Ju e dini që edhe komuna e Gjilanit e ka një problem të tillë”, potencoi Azemi.