Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar në një intervistë për VOX Kosova se Ministria e Financave po mban të bllokuara rreth 35 milionë euro nga të hyrat vetanake të kryeqytetit, duke e penguar në kryerjen e pagesave ndaj operatorëve privatë dhe realizimin e projekteve të planifikuara.

“Ministri po i mban të bllokuara të hyrat vetanake tona, diku rreth 35 milionë. Murati thirret në 3.2 milionë euro që i ka lëshuar të premten në orën 15:30, e në 15:45 i ka mbyllur prapë. Nuk kemi arritur të bëjmë asgjë”, tha Rama.

Ai theksoi se kjo situatë po krijon vështirësi të mëdha financiare për komunën, duke paralajmëruar se moszgjidhja e problemit mund të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Ligji është në fuqi dhe nuk ka asnjë ndalesë apo pengesë për t’i transferuar ato mjete. Neve nuk po na lëshohen mjetet tona për t’i paguar operatorët privatë”, u shpreh kryetari i Prishtinës.

Rama shtoi se ka kërkuar urgjentisht takim me Ministrinë e Financave dhe me kryeministrin për të zgjidhur çështjen. 

“Urgjentisht kam kërkuar me u taku me ministrinë e Financave edhe me kryeministrin. Nuk kemi nevojë me pas qytetarë në rrugë”, shtoi.