Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është bashkuar protestuesve të Trafikut Urban dhe operatoreve privatë pas vendimit që morën për të ndalur transportin publik në kryeqytet për shkak të problemeve me financa.

Fillimisht protestuesit janë mbledhur para objektit të Komunës së Prishtinës dhe, pas që iu bashkua Rama, së bashku kanë shkuar për të protestuar para Qeverisë.

Rama ka kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, që ta zhbllokojnë buxhetin e kryeqytetit.

“I lutem Kryeministrit dhe ministrit t’i ndalin këto lojëra, zgjedhjet janë kryer. Do të jem edhe katër vjet, fondet janë tonat, janë të kryeqytetit, bazuar në ligj janë të detyruar Qeveria, Ministria me i transferu ato fonde. Po bllokojnë jashtëligjshëm”, deklaroi Rama.

Ndryshe, sot qytetarët e Prishtinës nuk do të mund ta shfrytëzojnë trafikun urban. Kjo pasi që linjat e transportit publik dhe privat janë ndërprerë.

Sipas Ramës, kjo ka ndodhur për shkak të bllokimit të të hyrave vetanake nga Qeveria. Ai ka theksuar se për herë të parë në historinë e Kosovës, ekzekutivi ka bllokuar të hyrat vetanake të komunës.