Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial si shtet i pavarur e sovran.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
“Populli i Kosovës nuk është si ta. Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta. Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë”, shtoi.
I pari i LDK-së theksoi se partia e tij do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës, do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.









