Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zyrtarizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, ndonëse nga partia me të cilën garoi në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës, thanë në mëngjesin e së martës se nuk kanë asnjë marrëveshje për koalicion me PDK-në në kryeqytet.

Por, ndryshe nga seç është qëndrimi i LDK-së, Rama njoftoi të martën se ka emëruar si nënkryetare të Prishtinës Besianë Musmuratin, nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës. Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, shkroi Rama në Facebook, derisa njoftoi për emërimin e Musmuratit.

Musmurati ka qenë drejtore e Arsimit në mandatin e kaluar të Ramës. Në këtë drejtim, kreu i Prishtinës potencoi se përvoja e saj, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, “ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit”.

Se do të zyrtarizohet koalicioni i Ramës me PDK-në në Prishtinë e tha të hënën edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.

“Po, ka një koalicion. Kemi bërë koalicionin me zotërin Rama”, tha Ismaili në një intervistë për emisioni Pressing në T7.