Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se “nuk ka asnjë marrëveshje” me Partinë Demokratike të Kosovës dhe asnjë parti politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. Prishtina udhëhiqet nga Përparim Rama, i cili zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në nëntor të 2025-së, i fitoi nën siglën e LDK-së.
Ky reagim i LDK-së vjen pasi që të hënën, Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, deklaroi se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë me LDK-në, por edhe pasi që Rama shkarkoi disa drejtorë të LDK-së.
“LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, thuhet në reagimin e partisë më të vjetër në vend.
Nga kjo parti theksuan se kanë strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe këto struktura, sipas tyre, “nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”.
“Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, potencohet aty.
Si e tillë, nga LDK-ja pohuan se “ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj”.
“Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”.
Për çështjet tjera lokale, nga LDK thanë se do të angazhohen pas zgjedhjeve nacionale. “Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”.









