I propozuari për President nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është përpjekur që ta fajësojë opozitën – Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovë – në lidhje me çështjen e Presidentit, i cili duhet të zgjidhet sot, pasi që është afati i fundit kushtetues.
Në një prononcim për gazetarë, Konjufca kërkoi nga opozita që ta propozojnë edhe një kandidat për President, edhe pse partia ku ai bën pjesë i ka edhe 30 deputetë që mund të japin nënshkrimet për ta bërë edhe një kandidat që pastaj të vazhdojnë procedurat tjera për zgjedhjen e të parit të shtetit.
“Versioni më i mirë është që edhe opozita ta bëjë propozimin e vet. Mendoj që pyetja që po mungon këto dy tri ditë bile pasi nuk po e bëjnë gazetarët qe unë po e bëj këtë pyetje. Partitë politike PDK-ja dhe LDK-ja ma merr mendja që duhet të përcaktohen nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën kë do ta votonin?, tha Konjufca.
“Për besë nëse e propozojnë ndonjë emër ndoshta edhe unë e votoj atë tjetrin në vend të meje, por kurrkush nuk po propozon as PDK-ja as LDK-ja. Jam shumë kureshtar me e ditë kush është ai që ata do ta votonin nëse nuk jam unë edhe Vetëvendosja do ta votonte për mos me shku në zgjedhje, por duhet me nxjerr një emër ata për me na tregu kush është ai nëse nuk bën i Vetëvendosjes, sepse jam i bindur që nuk do të mund ta propozojnë një person neutral”, shtoi.
Sipas tij, nëse opozita nuk e thotë asnjë emër “qoftë edhe një neutral le të na gjen atëherë ky është përcaktim i qartë për me shku në zgjedhje nga ana e opozitës, jo nga ana jonë”.
Për Presidentin foli edhe Kryeministri Albin Kurti. Ai tha se pasdite do të vazhdojë përpjekjet për ta zgjidhur këtë çështje.








