Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet që ta zgjedhin Presidentin – në ditën e fundit të afatit kushtetues për të zgjedhur të parin e shtetit.
Kurti theksoi se shpreson edhe në një kandidaturë të dytë, pas asaj të Glauk Konjufcës që u bë nga Vetëvendosje, duke mos treguar se pse nuk po e propozojnë edhe një kandidat, duke qenë se i kanë edhe 30 nënshkrime të deputetëve për ta bërë këtë.
“Pasdite do t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim Presidentin. Urojmë e besojmë e shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha shkurt Kurti për gazetarë.
Të mërkurën, VV-ja propozoi Glauk Konjufcën si kandidat për President. Kjo kandidaturë nuk u përkrah nga partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës.
Vjosa Osmani, Presidentja aktuale, kishte shprehur publikisht synimet edhe për një mandat në krye të shtetit, por e njëjta nuk u propozua nga VV-ja.
Arbërie Nagavaci, Shefe e Grupit Parlamentar të VV-së, tha se i kanë ofruar Osmanit 30 nënshkrime, por theksoi se ajo i ka refuzuar.
Por, kjo u demantua nga kabineti i Osmanit, të cilët thanë se “kjo është gënjeshtër”.








