Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që Serbia nuk i ka marrë ende hapat e nevojshëm për t’i përballur me drejtësinë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Kështu ka thënë një zëdhënës i BE-së për Radio Evropa e Lirë, derisa ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e tre të akuzuarve për sulmin në Banjë.
Të premten e 24 prillit, Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviç-in dhe Vladimir Toliç-in, ndërsa Dushan Maksimoviç-in me 30 vjet burgim.
Më 24 shtator 2023, një grup terroristësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit, me qëllim aneksimin e Veriut të Kosovës.
Si pasojë e këtij sulmi, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Pas sulmit, ndërhyri Policia e Kosovës, ku arriti që suksesshëm të zmbrapsë terroristët serbë. Tre prej tyre u vranë gjatë luftimeve, ndërsa pjesa më e madhe, përfshirë kriminelin Radojiçiç, u arratisën për në Serbi.
Për këtë rast, Kosova e kishte akuzuar drejtpërdrejt Serbinë se qëndron prapa. Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar, nuk ishte distancuar fare nga sulmi, madje kishin shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, e kishin dënuar njëzëri këtë sulm dhe kishin kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.









