Dy të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa njëri me 30 vjet.
Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviç me 30 vjet. Të tre këta ndodhen në paraburgim që nga dita e sulmit terrorist.
Ky vendim u dha nga trupi gjykues që përbëhej nga Ngadhnjim Arrni, si Kryetar i trupit gjykues, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli.
Gjyqtari Arrni, derisa ua shqiptoi dënimin, tha se qëllimi i teroristëve ka qenë aneksimi i pjesës Veriore të Kosovës.
“Përmes këtij plani mirë të organizuar, përmes përdorimit të shunës me aramtim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën Veriore të Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se të akuzuarit kanë kryer veprat penale: kryerja e veprës terroriste, në ndërlidhje me veprat të rënda penale kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Çka ndodhi?
Më 24 shtator 2023, një grup terroristësh serbë, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit, me qëllim aneksimin e Veriut të Kosovës.
Si pasojë e këtij sulmi, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, i shpallur hero i Kosovës.
Pas sulmit, ndërhyri Policia e Kosovës, ku arriti që suksesshëm të zmbrapsë terroristët serbë. Tre prej tyre u vranë gjatë luftimeve, ndërsa pjesa më e madhe, përfshirë kriminelin Radojiçiç, u arratisën për në Serbi.
Për këtë rast, Kosova e kishte akuzuar drejtpërdrejt Serbinë se qëndron prapa. Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar, nuk ishte distancuar fare nga sulmi, madje kishin shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, e kishin dënuar njëzëri këtë sulm dhe kishin kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.








