Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shkuarja në zgjedhje nuk është opsion dhe se për çështjen e Presidentit duhet kompromis.

Këto komente, Kurti i ka bërë në mbledhjen e Qeverisë të hënën, disa orë para takimit me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku do të diskutojnë për Presidentin.

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetes kemi një afat kushtetues që po afrohet, shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese të zgjedhurve të popullit. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta”, deklaroi Kurti.

Kurti potencoi se nuk ka asnjë parti që mund t’i fitojë 80 deputetë, “andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga këto pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë”.

“Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar”, pohoi ai.