Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë zhvilluar një grevë njëorëshe të hënën nga ora 11:00 deri në 12:00 për shkak të mosekzekutimit të pagave.

“Ne jemi në transmetim të drejtpërdrejt si televizion publik, jemi në formën jo të dëshiruar që kemi ardhë sot në grevë. Ky është paralajmërim. Edicioni i orës 11:00 i lajmeve nuk është duke shkuar, për shkak se 700 punëtorë janë pa paga dhe në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi.

Ata kanë kërkuar zgjidhje nga Qeveria. “I bëjmë thirrje prej këtu Qeverisë së Kosovës se mundet ta gjejë një zgjidhje ligjore, ka mundësi. Ta gjejnë një zgjidhje ligjore e pastaj le të provojnë të krijojnë komisione e trupa të Kuvendit, sepse situata është emergjente, nuk pret”, pohoi ai.

Bimbashi ka bërë thirrje që punonjësit e RTK-së të mos bëhen pjesë e “qërimit të hesapeve të partive politike”, por t’i zgjidhin ato mes vete.

Nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, nga sindikata kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë edhe ditët në vijim dhe me mundësi të zgjerimit të masave të protestës.

Kjo sindikatë i ka dërguar disa letra zyrtarëve të Bashkimit Evropian përmes së cilave i kanë njoftuar për gjendjen financiare në RTK.