Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i ka dërguar disa letra zyrtarëve të Bashkimit Evropian përmes së cilave i kanë njoftuar për gjendjen financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
“Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor”, thuhet në komunikatën për media.
Nga sindikata kanë treguar se i kanë shkruar Kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Viola von Cramon-it.
Ata gjithashtu kanë theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. “Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre”, thonë ata.
Nga kjo sindikatë e kanë konsideruar si një situatë të papranueshme dhe kanë kërkuar masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. “Jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme”.
Të hënën, nga ora 11:00 në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe. “Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta”.









