Pas njoftimit nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për ndërprerje të transportit publik nga e hëna në kryeqytet për shkak, siç tha ai, të bllokimit të të hyrave vetanake nga Qeveria, edhe disa linja private urbane kanë bërë të ditur se do të veprojnë njësoj.

Dy prej tyre janë kompania 24 Yjet dhe Prishtina Shpk-Linja 7B. Ato kanë treguar për vështirësitë financiare që nga muaji maj.

“Që nga 1 janari 2025 kemi lidhur kontratë me komunën e Prishtinës ku ne paguhemi sipas kontratës, nga muaji maj 2025 nuk jemi paguar për shërbimet tona ku kjo ka vështirësuar tej mase punën për operimin e rregullt të vijave tona. Ne si kompani kemi mbuluar shpenzimet për aq sa kemi pasur mundësi por ju njoftojmë se nga nesër me datë 24.11.2025 jemi të detyruar të ndërpresim operimin në të gjitha linjat si 10, 10 A, 10B, 10 C si dhe linjën nr 20”, thuhet në njoftimin e kompanisë 24 Yjet.

Edhe nga Prishtina Shpk-Linja 7B, kanë thënë se vonesat në pagesa i kanë shfaqur vështirësi.

“Pavarësisht vështirësive të paraqitura deri tani, kemi treguar performancë të qëndrueshme, por vonesat në pagesa që nga muaji maj kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt”, kanë treguar ata.