Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga e hëna transporti publik në kryeqytet do të ndalet, kjo për shkak, siç thotë ai, bllokimit të të hyrave vetanake nga Qeveria. Ai theksoi se për herë të parë në historinë e Kosovës, ekzekutivi ka bllokuar të hyrat vetanake të komunës.
“Sapo kam përfunduar një takim me përfaqësues të transportit urban dhe të shoqatës së transportuesve të sektorit privat të cilët më njoftuan se për fat të keq nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet”, ka thënë ai, në një konferencë për media.
Rama ka theksuar se paralajmërime të njëjta kanë marrë edhe nga ndërmarrje të tjera, të cilat prej muajsh, siç thotë ai, nuk kanë marrë pagesa, “duke cenuar kështu shërbimet esenciale të qytetarëve të kryeqytetit”.
“Shërbime jetike të kryeqytetit që përdoren për ushqim në shkolla, transport publik, shëndetësi, ndihmë sociale, të cilat janë në prag të ndërprerjes të hënën”.
Kryetari i kryeqytetit theksoi se nuk ka besuar kurrë që qytetarët e këtij vendi “do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore”.
Ai shtoi se pavarësisht kërkesave për zgjidhje nga institucionet, ato nuk janë trajtuar dhe “buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike”.
“Bëhet fjalë për funksione elementare të kryeqytetit tonë, për mirëqenien e fëmijëve tanë, të moshuarve dhe familjeve tona. Prej mbi një vit në mënyrë të vazhdueshme dhe në përputhje me procedurat ligjore kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar, buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje krejtësisht politike”, shtoi ai.
Rama bëri me dije se 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar “janë bllokuar nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”.
Për këtë arsye, ai thotë se ka lajmëruar që ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Ministrit në detyrë, Hekuran Murati dhe zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë së Financave “për shkelje të ligjit”. “Jemi drejtuar edhe Kryeministrit në detyrë, Presidentes dhe kemi kërkuar shqyrtim urgjent edhe nga Gjykata Kushtetuese”.
Pas konferencës së Ramës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, “para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike”.
Mirëpo, ai pretendon se në fund të ditës, nga Thesari e kanë njoftuar se përkundër alokimit, “stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se ‘kryejmë të hënën'”.
“Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm”, theksoi ai.
Murati potencon se në “vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën”.
“Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, shtoi ai ndër të tjera.









