Policia e Kosovës ka njoftuar se rreshteri i PK-së, Gëzim Millaku, është kthyer në punë.

Ai ishte suspenduar sepse në Polici, si dëshmitar i vendit të ngjarjes, kishte thënë se vetura e Kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk e ka rrezikuar eskortën e Kryeministrit Albin Kurti, siç pretendonte ky i fundit.

Përfundimi i masës së suspendimit, sipas Policisë, ka përfunduar para disa dite.

“Lidhur me kërkesën tuaj u njoftojmë se sipas procedurave zyrtarit në fjalë i është ndërprerë masa e suspendimit me datën 02.07.2026 dhe ka filluar punën në PK”, kanë thënë nga Policia për Lajmi.net.

Çka ndodhi?

Rreshteri i mbrojtjes së afërt, Gëzim Millaku, u suspendua pasi që deklaroi se Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk kishte tentuar që ta sulmonte veturën e Kryeministrit Albin Kurti.

Bëhet fjalë për një ngjarje të 31 janarit të vitit 2025, ku Kurti pretendonte se derisa po shkonte në Skenderaj për një tubim elektoral, Lushtaku kishte tentuar që ta sulmonte me veturë eskortën e tij.

Suspendimi i Millakut, siç kishte raportuar VOX Kosova, kishte ardhur pasi që televizioni publik (RTK), kishte publikuar raportin e policisë për këtë rast.

Sipas raportit, Millaku kishte thënë se “vetura e dyshuar [e Sami Lushtakut] ka bërë vetëm kyçje të vrullshme, por nuk ka rrezikuar eskortën e Kryeministrit Albin Kurti”.

Kjo ngjarje u rikthye në opinionin publik pasi që Kryeministri Kurti, disa ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit, e akuzoi Lushtakun në një intervistë në KTV se kishte tentuar që ta sulmonte eskortën e tij, por që u mohua nga Lushtaku.