Gurët mbi Policinë e Kosovës po vazhdojnë të hidhen akoma nga Vetëvendosje, vetëm kësaj here jo literalisht, por duke e përdorur pushtetin që arritën ta marrin – një pjesë të konsiderueshme edhe për shkak të gurëve.

Albin Kurti e vartësit e tij kanë suspenduar nga detyra rreshterin e Policisë së Kosovës, Gëzim Millaku, polic i moçëm i institucionit e madje edhe ish-ushtar i UÇK-së.

Krejt kjo, sepse i njëjti e kishte parë ndryshe situatën që Albin Kurti pretendonte që ka pas tendencë të sulmohet me veturë nga Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Kryetari i Komunës së Skenderajt me veturë zyrtare ka synuar të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën zyrtare.”

Ai në Polici, si dëshmitar i vendit të ngjarjes, kishte thënë se “vetura e dyshuar (e Sami Lushtakut) ka bërë vetëm kyçje të vrullshme, por nuk ka rrezikuar eskortën e kryeministrit Albin Kurti”.

Kaq mjaftoi. Tha të vërtetë tjetër nga ajo e kryeministrit. Dhe, normalisht, pasoi suspendimi.

Për këtë rast raportoi ekskluzivisht VOX Kosova.

Por historia e afërt me këta pushtetarë që pretendojnë që “Policia e Kosovës nuk është një institucion i pavarur” njeh edhe disa raste të tilla që kanë ndëshkuar zyrtarë publik që kanë vepruar ndershëm, por kundër interesave të tyre.

Për shembull, Idriz Gashi dhe Shaip Elshani u degraduan në pozita nga Njësia e Veçantë Hetimore në patrullime të thjeshta, vetëm se kishin hetuar aferat korruptive të Vetëvendosjes, si ajo për rezervat shtetërore që ishte përfshirë Rozeta Hajdari, apo kjo tjetra për keqpërdorimet në Korporatën Energjetike nga Nagip Krasniqi.

Qeveria e Albin Kurtit kur flet për sukseset e qeverisjes, të parën që e përmend është Veriu.

Pra, e do suksesin e arritur pikërisht përmes policisë, por policët që ja mundësuan këtë sukses, vec e vec, nuk i do. I suspendon.