Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar kallëzim penal kundër Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar për disa vendime të paligjshme dhe ndërhyrje në administratën shtetërore.
“Më datën 12 gusht, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime, duke themelu 18 komisione, diku diku me njerëz të njëjtë për me i emëru në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare në një pozitë si sekretar permanent, në një kohë kur kjo Qeveri është në detyrë, kur kjo qeveri nuk ka legjetimitet, kur kjo qeveri është duke e blloku shtetin”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.
Tahiri theksoi se nuk guxon asnjë Qeveri “e as që nuk ka legjitimitet që ta kthen administratën e shtetit në funksion të një partie”.
“Dje kemi thënë që si Aleancë nuk do të lejojmë që të kemi një parti shtet dhe sot po iu themi që kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë. Këto vendime të jashtëligjshme duhet të anulohen menjëherë përderisa këta anëtarë të komisionit që marrin pjesë në një procedurë të jashtëligjshme duhet të kenë shumë kujdes për shkak se Aleanca këtë çështje do ta ngritë në Prokurorinë përgjegjëse, duke e trajtuar këtë temë përmes një kallëzimi penal për shkak se kjo është mënyra e vetme e jonë që të pengojmë një kapje të shtetit në formën më flagrante të mundshme”.
Ai ka theksuar se do të kërkojnë shqyrtimin e ligjshmërisë së këtyre akteve dhe vendimeve “të paligjshme dhe do t’i drejtohemi organeve kompetente”.
“Ndërsa kësaj Qeverie në detyre i themi ndalene kapjen e administratës shtetërore se nuk është e partisë, e asnjërës parti, por është e Kosovës e qytetarëve të saj. Mos iu bëni presion për me shkel ligjin dhe mos iu bëni shtypje për me marrë vendime që nesër do të jenë vendime me karakter penal”.









