Si kryesues i Komisionit të Pranimit për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) është emëruar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, personi që ka aktakuzë të ngritur – e vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit – për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Hysni Muzliukaj, ish-drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Mitrovicë.
Vendimi, që është nënshkruar nga Kurti, për emërimin e Muzliukajt në këtë pozitë, është marrë në mbledhjen e Qeverisë më 12 gusht.

Më 23 korrik 2026, Gjykata e Apelit kishte konfirmuar aktakuzën për korrupsion kundër Muzliukajt dhe Kryeshefit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, duke ia refuzuar kështu ankesat e paraqitura nga avokatët e dy të pandehurve, derisa vendimi i Gjykatës Themelore për konfirmimin fillestar të aktakuzës është vërtetuar.
Sipas Prokurorisë, Mujka, së bashku me Muzliukajn, dyshohen se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”.
Ndonëse me aktakuzë, përveç kësaj që është sapoemëruar, Muzliukaj, që ka qenë edhe kandidat për asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, mban edhe pozitën e Drejtorit të Institutit për Administratë.









