Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka rrëzuar një vendim të Drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa për punëtorin e këtij institucioni, Shemsi Elezin, në lidhje me vlerësimin e performancës në punë. Beqa, Elezin e kishte sulmuar edhe fizikisht, për çka ka edhe aktakuzë. Në vlerësimin e performancës së punës për gjashtë muaj të vitit 2025, Beqa – Elezin e ka vlerësuar me notë “e papranueshme”. Por, KPMCHC e ka rrëzuar këtë vendim.
DOKUMENT:

“Ndryshohet Formulari për Vlerësimin e Rezultateve në Punë i datës 25.02.2025, për periudhën nga data 01.08.2025, deri me datën 31.12.2025, të bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me notën e përgjithshme të vlerësimit për ankuesin dhe atë nga “ e Pa pranueshme ”, bëhet “arrin pritshmëritë”, thuhet në vendimin e KPMSHC-së.
Këshilli, në vendim ka përmendur pikërisht aktakuzën e ngritur ndaj Beqës për sulmin ndaj Shemsi Elezit. Sipas KPMSHC-së, të njëjtit kanë mosmarrëveshje personale të pazgjidhura dhe se Selajdin Beqa është dashur të përjashtohet nga vlerësimi i performancës së Elezit.
“…në arsyetimin e vendimit të Këshillit eshtë konstatuar se pasi sipas Aktakuzë PP.II.nr.7334, të datës 18.03.2024, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë/ Departamenti i Përgjithshëm, se S.B Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës, ku theksohet dyshohet se i njëjti ka kryer vepër penale ‘’lëndim i lehtë trupor’’, nga nenin 185, paragrafi 1, pika 1.4, të KPRK-së, ndaj ankuesit SH.E”, thuhet në arsyetimin e KPMSHC-së.
Përmes një vendimi të nxjerrur në qershor të vitit 2026, KPMSHC kishte kërkuar nga Bordi i Autoritetit të Konkurrencës që të ndërmarrë veprime ligjore për ta trajtuar çështjen e pezullimit të Drejtorit të Përgjithshëm të AKK-së, Selajdin Beqa – i afërt me Vetëvendosjen – për shkak se i njëjti ka aktakuzë nga Prokuroria për sulm ndaj kolegut Shemsi Elezi.
DOKUMENT:

“Obligohet Bordi i Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, që në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të ndërmarrin veprime ligjore në kuptim të trajtimit të çështjes se pezullimit të Drejtorit të Përgjithshme si pasojë e rrethanave të krijuara më ngritje të aktakuzës… 18.03.2024”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Por, që nga ajo kohë, nuk është marrë vendim për pezullimin e Beqës.
Beqa, si drejtor i AKK-së, brenda hapësirave të institucionit ku punon, e kishte sulmuar fizikisht kolegun Elezi. Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Beqajt për sulm fizik.
“I pandehuri me dashje që të i shkaktoj lëndim trupor personit tjetër tani të dëmtuarit Shemsi Elezi i njëjti e kishte sulmuar me atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake derisa i dëmtuari kishte dalur në korridor tek fotokopja i pandehur duke i zënë në befasi të dëmtuarin nga mbrapa fillon ta sulmoj me shqelma dhe duar në pjesë të ndryshme të trupit duke e rrëzuar në tokë”, thuhet në aktakuzë.
Të bëmat e Beqës nuk përfundojnë këtu.
Më 16 prill të këtij viti, punëtorja A.A, e Autoritetit të Konkurrencës, iu ishte drejtuar me një shqetësim Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ajo pretendonte se ishte vëzhguar e monitoruar nga drejtori Beqa përmes kamerave të sigurisë. Thoshte se incizimet nga këto kamera i përcilleshin atij përmes një zyrtari të IT-së, që për më tepër në kohën kritike s’kishte autorizim për mbikëqyrjen e sistemit të kamerave.
Beqa njihet për afërsinë e tij me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Ai, në zgjedhjet e 2017-së dhe 2021-së, ishte caktuar anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nga VV në Prishtinë.










