Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është dënuar me 20 mijë euro gjobë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Sipas vendimit, AKK ka bërë shkelje të dispozitave ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale. I përfshirë në këtë rast, si palë që shkaktoi dëmin është drejtori i këtij institucioni, njeriu i afërt me Vetëvendosjen, Selajdin Beqa.
DOKUMENT:

Ishte 16 prilli i këtij viti, kur punëtorja, A.A, e Autoritetit të Konkurrencës, iu drejtua me një shqetësim Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Pretendonte se ishte vëzhguar e monitoruar nga drejtori Beqa përmes kamerave të sigurisë. Thoshte, se incizimet nga këto kamera i përcilleshin atij përmes një zyrtari të IT-së, që për më tepër në kohën kritike s’kishte autorizim për mbikëqyrjen e sistemit të kamerave.
DOKUMENT:

Pamjet që ishin kapur nga kamerat, kryesisht hyrje-dalje nga objekti ishin publikuar në një medium në Kosovë. Ankuesja thoshte se kjo kishte “cenuar rëndë dinjitetin, reputacionin dhe privatësinë e saj”.
Pas marrjes së ankesës, zyrtarët e inspektimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi kishin ‘zbarkuar’ në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës. Kishin vërejtur se kamerat s’kishin zë. Kishin konkluduar se ankuesja nuk ishte monitoruar, duke u bazuar në faktin se incizimet s’e kishin emrin e saj. Por problemi ishte diku tjetër, sipas tyre.

Pamjet i ishin dhënë policisë për një rast që supozohej që ishte nën hetim për “hyrje të pautorizuara” në objektin e AKK-së. Ato nuk ishin redaktuar apo “anonimizuar” vetëm në pjesët që mund të ishin subjekt i hetimit, por i ishin dërguar të plota, hyrje dalje të një dite të tërë, çka përbënte shkelje të rëndë. Shkelje që kushtoi 20 mijë euro.
Historia e bujshme e skandaleve të Selajdin Beqës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj drejtorit Beqa për sulm fizik ndaj kolegut të tij, Shemsi Elezi, drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut në AKK. Sulmi kishte ndodhur brenda hapësirave të institucionit.
“I pandehuri me dashje që të i shkaktoj lëndim trupor personit tjetër tani të dëmtuarit Shemsi Elezi i njëjti e kishte sulmuar me atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake derisa i dëmtuari kishte dalur në korridor tek fotokopja i pandehur duke i zënë në befasi të dëmtuarin nga mbrapa fillon ta sulmoj me shqelma dhe duar në pjesë të ndryshme të trupit duke e rrëzuar në tokë”, përshkruante prokuroria në aktakuzë.

Drejtori në një moment i ishte drejtuar me një letër ministrit Xhelal Sveçla për leje për mbajtje të armës gjatë gjithë kohës. I thoshte se ka rreziqe puna e tij si gjobvënës për kompani të ndryshme që shkelin ligjet e konkurrencës.

Gjithashtu, në kohën e zgjedhjes drejtor të Beqës, Organizatat Jo-Qeveritare kishin ngritur alarmin për dyshimet e kurdisjes së konkursit.
Afërsia me Vetëvendosjen, e dokumentuar:
Përveç simpatisë që e shpreh haptas në rrjete sociale, VOX Kosova ka gjetur se Beqa edhe me letra është pjesë e Vetëvendosjes. Në zgjedhjet e vitit 2017 ai ishte caktuar anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nga VV në Prishtinë.
DOKUMENT:

Dhe sërish, më 2021.

Ka foto të tjera, me shumicë, ku ai shfaqet në raporte shoqërore me aktivistë e zyrtarë të lartë të partisë në pushtet, që përveç të tjerash, dëshmojnë edhe pse ndaj tij nuk është marrë ndonjë masë.
