Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot (e hënë) do ta takojë Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, me të cilin pritet që të diskutojnë për çështjen e Presidentit, i cili duhet të zgjidhet në fillim të marsit.
Kështu njoftoi Qeveria e Kosovës, pas takimit që Kurti pati të dielën me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po për çështjen e Presidentit.
“Kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sa i përket takimit mes Kurtit dhe Hamzës, nga Qeveria thanë se të dy kanë konstatuar se për çështjen e Presidentit bashkëpunimi është i nevojshëm.
“Temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, theksohet në njoftim.









