Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pa i shpjeguar fare motivet, fillimisht ka pranuar ftesën për takim e më pas e ka realizuar edhe takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Për këtë takim ka njoftuar vetë Kurti, i cili Hamzën e priti në zyrën e tij në kryeministri.

“Kryeministri Kurti falënderoi Kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

“U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik”, shkruan në pasuesin e radhës të këtij njoftimi.

“Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm”, përfundon njoftimi duke paralajmëruar se takim do të ketë edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.