Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka refuzuar që të flasë për çështjen e Presidentit, pasi që u propozua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Jemi duke shkuar për t’i nderuar të zhdukurit me dhunë, kështu që ju lus për mirëkuptim. Ndoshta ndonjëherë tjetër”, tha Osmani kur u pyet se a do të jetë kandidatja e LDK-së për Presidente.
Përgjigje nuk dha as kur u pyet se a ka pasur kontakte me Kryeministrin Albin Kurti, pas propozimit nga Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. “Jemi t’u u nis për Mejë”, potencoi ajo.
Në lidhje me propozimin e LDK-së për Osmanin nuk ka folur as Kryeministri Kurti. Ai refuzoi që të përgjigjet kur u pyet nëse e mbështet apo jo atë si kandidate, pas propozimit nga LDK.
Osmani u propozua nga LDK-ja pasi që Vetëvendosja të shtunën kërkoi nga opozita tre emra të kandidatëve për President.
Për dallim nga LDK, PDK-ja e refuzoi këtë ofertë, duke e konsideruar si manovër të Kurtit, derisa theksuan se për ta kjo çështje është e mbyllur.
Deputetët kanë afat për ta zgjedhur Presidentin deri më 28 prill (e martë). Nëse nuk e zgjedhin deri në këtë ditë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.








