Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur nëse do ta pranojë Vjosa Osmanin si kandidate për Presidente të Kosovës, e cila u propozua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Për këtë çështje, Kurti u pyet derisa po shkonte në seancën e Kuvendit që po mbahet në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq para disa ditësh.
LDK-ja e propozoi Osmanin si kandidate për Presidente, pasi që Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të shtunën tre emra nga opozita si kandidatë për President.
Partia Demokratike e Kosovës e refuzoi këtë ofertë, duke e cilësuar si manovër të Kurtit, ndërsa LDK-ja, përkatësisht Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, iu përgjigj duke i thënë se ata mund ta propozojnë Vjosa Osmani, por Kurti të tregojë se a i ka 66 votat e koalicionit qeverisës për të.
Nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 28 prill (e martë), atëherë Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.








