Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar të mërkurën në një konferencë për media se partisë së tij nuk i pengon që Prokuroria po e heton kompaninë “NOA Energy Trade”.

Kompani që qarkulloi qindra miliona euro vetëm pak pasi u themelua.

“Ju keni dëgjuar për Noa Energy… më lejoni të iu them pa asnjë fije dyshimi dhe e mirëpresim çfarëdo hetimi që ka nga çdo institucion. Në fakt i rekomandoj edhe Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje se kush ishin akterët që sollën Noa Energy në Kosovë. Asnjë zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, as nga Qeveria as nga Kuvendi nuk ka lidhje me Noa Energy”, tha Muja.  

Por, ndryshe nga Muja, mendonin kolegët e tij nga Lëvizja Vetëvendosje kur ishin pyetur për këtë çështje nga VOX Kosova. Ata ose refuzonin të flisnin, ose refuzonin ta quanin skandal rastin e kësaj kompanie.