Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka komentuar njoftimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstitutimin e Kuvendit, duke thënë se është në pritje të aktgjykimit të plotë.
“Është ende veç njoftim, momentin që publikohet aktgjykimi i plotë, ju thërrasim prapë, na shihemi gati çdo ditë edhe flasim”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se shpreson që sa më shpejt të përmbyllet procesi i konsitituimit të institucioneve.
“Jemi në komunikim me partitë vazhdimisht, do të jemi edhe në të ardhmen dhe po shpresoj që sa më shpejt do të përmbyllet komplet cikli i institucioneve funksionale”, tha ajo.
Ndryshe, më 30 shtator, Kushtetuesja vendosi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari, në këtë rast atij serb, dhe u ka dhënë kohë deputetëve 12 ditë afat për ta përmbyllur konstituimin.
Ankesa në Kushtetuese ishte bërë nga Lista Serbe, pasi që Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit, por edhe Lëvizja Vetëvendosje, e kishte shpallur të konstituuar kuvendin, ndonëse nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk ishte zgjedhur.
Gjykata, njëzëri, ka vendosur të deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që “Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, thuhet tutje në vendim.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.