Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatojë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndryshe nga seç kishin pretenduar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ta presim aktgjykimin së çfarë do të thotë”, ka thënë shkurt Kurti para gazetarëve.
Ndryshe, më 30 shtator, Kushtetuesja vendosi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari, në këtë rast atij serb, dhe u ka dhënë kohë deputetëve 12 ditë afat për ta përmbyllur konstituimin.
Ankesa në Kushtetuese ishte bërë nga Lista Serbe, pasi që Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit, por edhe Lëvizja Vetëvendosje, e kishte shpallur të konstituuar kuvendin, ndonëse nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk ishte zgjedhur.
Gjykata, njëzëri, ka vendosur të deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që “Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, thuhet tutje në vendim.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.