Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shpërbërjes automatike të Kuvendit mesnatën e 28 prillit, për shkak të dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke i bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen me të në atë që njihet si fushatë parazgjedhore.

Përmes një video mesazhi të publikuar në Facebook, mëngjesin e së mërkurës, Osmani tha se “rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, hapen nga populli”.

“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën… ka ardhur momenti që të japim dashni dhe vetëm dashni për vendi tonë… Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision, sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, ka thënë Osmani në një video-mesazh në llogarinë e saj në Facebook.

Osmani ka thënë se duhet t’i vie fundi “propagandës”, “urrejtjes”, përçarjes” e “ndjelljes së frikës”.

“Mjaft më me propagandë. Mjaft më me urrejtje. Mjaft më me përçarje. Mjaft më me ndjellje të frikës. Mjaft më”. 

Pas dështimit të seancës për Presidentin të martën, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Osmani ka qenë Presidente e Kosovës deri më 4 prill 2026. Ajo kishte shprehur publikisht ambicien edhe për një mandat në krye të shtetit, por që nuk u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje, partneri i saj i dikurshëm.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se me siguri Osmani do të jetë kandidate për Presidente në listën e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare

“Me siguri do të jetë dhe mund të jetë kandidate për Presidente”, tha Abdixhiku në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, në orët e para të së mërkurës.

Ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, nuk e deshi Osmanin për Presidente, por beson se “populli i Kosovës do të ketë mendim ndryshe për këtë çështje”.