Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, gruaja e Rexhep Selimit, e ka përkrahur protestën kundër Gjykatës Speciale që do të mbahet të premten në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, duke filluar nga ora 17:00.

Përmes një postimi në Facebook, ndryshe nga qëndrimi i partisë, Selimi ka thënë se “çdo kundërshtim ndaj padrejtësisë është një shans më shumë për drejtësinë”.

“Le të protestohet që t’i sigurohet hapësirë drejtësisë. Kundër padrejtësisë jo vetëm sot, gjithmonë!”, shkroi ajo.

Në një reagim të orëve të vona të së mërkurës, VV-ja është tallur me ata që do të jenë në protestën në mbrojtje të UÇK-së e kundër Gjykatës, madje edhe e sulmuan Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Nga kjo parti theksuan drejtësia nuk arrihet në sheshin “Skënderbej” dhe janë përpjekur të japin ide se çka mund të bëjë Shqipëria ose ndonjë shtet tjetër për këtë proces.

“…institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë BE-së, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë’, thuhej në reagimin e VV-së.

“Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin”, theksohet ndër të tjera.