Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), e ka hedhur poshtë ankesën e Fondit për Sigurime Shëndetësore ndaj VOX Kosova, në lidhje me raportimin se si Hekuran Murati, Ministër në detyrë i Financave, kishte marrë para nga ky fond për trajtimin e babait të tij në një spital privat jashtë vendit.

KMShK ka konstatuar se VOX-i nuk e ka shkelur kodin e Mediave të Shkruara që ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.

“KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Fondit për Sigurim Shëndetësor kundër Voxkosova.com për shkrimin me titull ‘Skandali Hekuran Murati mori kundërligjshëm para nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore’, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese”, thuhet në vendimin e KMSHK-së.

Më 1 shtator, VOX-i kishte raportuar se si Ministri Murati, më 18 qershor të këtij viti kishte marrë afër 11 mijë euro nga Fondi për trajtimin e babait të tij në një spital privat në Maqedoni të Veriut.

Paratë për babain e ministrit Murati ishin dhënë me shkelje të procedurave, pasi që nuk ishte respektuar Udhëzimi Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike.