Rrjeti i Organizatave joqeveritare “AVONET” ka dorëzuar të hënën padi ndaj Qeverisë në detyrë, përmes të cilës kërkojnë anulimin e vendimit për miratimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Ata kanë kërkuar që të vendoset masa e përkohshme e sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.

Kenan Gashi, drejtori ekzekutiv i “AVONET”, pas dorëzimit të padisë deklaroi se ky veprim është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

“Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative padinë për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë, nr. 02/273, të datës 31.10.2025, për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Kosovës për vitin 2026”, tha Gashi.

“Së bashku me padinë, AVONET ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata”, shtoi.

Ky propozim, theksoi ai, “është ngritur në bazë të neneve 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, duke u arsyetuar se zbatimi i vendimit do të shkaktonte dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Kosovës”.

Në vlerësimin e Gashit, Qeveria në detyrë ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se Qeveria në detyrë, me rastin e miratimit të vendimit në fjalë, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratojë projektligje”, deklaroi.

Miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore, Gashi konsideron se është jashtë kompetencave të një qeverie në detyrë.

“Sipas analizës ligjore të AVONET, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore përbën një akt me karakter administrativ dhe politik, i cili tejkalon kompetencat e një qeverie në detyrë. Për më tepër, theksohet se Kryeministri dhe disa ministra të kabinetit qeveritar tashmë janë në funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, çka përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve dhe ndalimit të ushtrimit të dy funksioneve publike njëkohësisht”, tha Gashi.