Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin fiskal 2026. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në prezantimin e buxhetit të ri, ka thënë se është në vlerë prej 4 miliardë euro, dhe se ka shumë “risi”.

Kurti tha se “1/4 , apo rreth 1 miliardë euro janë buxhetuar për investime kapitale”, ndërsa shtoi se një risi me këtë buxhet do të jetë edhe dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

“Pra kush do që punon të paktën 12 muaj në sektorin 12 muaj, me qeverinë tonë do të mund ta përfitojë edhe pagën e 13-të”, theksoi Kurti.

Gjithashtu, ai pohoi se është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë me 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune, “për dallim prej asaj që kemi pasur me herët ku për 15 vitet e para zbatohej rritja vetëm 0.25 për qind për çdo vit përvojë pune”.

“Ky buxhet për vitin 2026, përfshinë edhe rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë, shtesave për lehona, pagesat për të rinjtë dhe gratë që angazhohen nga super puna, kompletim i reformës së asistencës sociale e shumë e shumë mbështetje të tjera për familjet”, shtoi.

Me këtë buxhet, Kurti potencoi se rritet mbështetja për barant esenciale, por rritet edhe “mbështetja për kulturën dhe sportin, rritet mbështetja për ndërmarrësit për sektorin privat dhe për bujqit, por rritet edhe për infrastrukturë publike”.

Me këtë buxhet, sipas tij, sigurohet “qëndrueshmëria dhe vijimësia e shtetit tonë dhe e zhvillimit të tij”.