Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e çon shtetin drejt “rrënimit”, derisa ka theksuar se Prokuroria Speciale ka mundur që ta ndalë këtë, siç e ka quajtur ajo, “maskaradë”.
Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, ka miratuar buxhetin për vitin 2026.
“Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që ka uzurpuar zyrat e Qeverisë aprovoi sot buxhetin për vitin 2026. Ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disa fish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, shkroi Bajrami.
Shtetin, thotë ajo, “po e çojnë drejt rrënimit”. “Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskaradë”, shtoi.
“Tash, duhet ta ndalim me votë. E, do ta ndalim me votë”, potencoi ajo.









