Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është takuar me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
“Në Zagreb, gjatë vizitës zyrtare në Qarkun Lika-Senj, takova mikun e hershëm, Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Martinin e Malësisë, i cili kishte njohje nga ditët studentore me Fehën”, shkroi Lladrovci në Facebook.
Kryetari i Drenasit, të cilit i ishte publikuar nga VOX Kosova një audio-incizim në shtator të 2025-së, ku fliste me disa persona të afërt të tij për ndërtim në pronë komunale e fitime milionëshe, ka treguar për njohjen me Berishajn.
“Martinin e mbaj mend nga rinia ime e hershme. Ai vinte në shtëpinë tonë në Gllanasellë bashkë me Fehën, kur studentët shqiptarë mbanin lidhje atdhetarie dhe bëheshin plane për shqiptarët në ish-Jugosllavi në një dimension tjetër”, potencoi Lladrovci.
Më 26 qershor të vitit 2025, Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë si i dyshuar nga organet e rendit për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Për të njëjtat vepra penale, ai ishte intervistuar edhe në mars të vitit 2024.
Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para një komisioni parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.
Ai ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb, për të dhënë gjoja këshilla në lidhje me tregjet e energjisë në Ballkan.
Se ka marrë shuma të majme parash nga kompania GEN-I, dega në Beograd, Berishaj e ka pranuar në intervistën e tij para Prokurorisë Speciale, për të cilën VOX Kosova kishte raportuar më 23 janar të këtij viti.
Berishaj kishte themeluar edhe një kompani në Mal të Zi për këtë punë, “MB Consulting”, e cila nuk kishte asnjë punëtor, pos atij vetë dhe të cilën ai nuk e kishte deklaruar fare në deklarimin e pasurisë.
Ai kishte edhe dy kompani të tjera në Kosovë që po ashtu nuk i kishte deklaruar.
Pos këtyre, Berishaj kishte tërhequr shuma që kapin shifrat e milionave nga bankat në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe asnjëherë nuk është sqaruar se çfarë ndodhi me paratë kesh që i ka tërhequr.
Përkundër këtyre dyshimeve për afera korruptive, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar atë nga pozita e ambasadorit.
Madje, nga partia që ka pushtetin në Kosovë, e kanë mbrojtur vazhdimisht Berishajn, duke i cilësuar si “të pavërteta” raportimet për të.









