Autoritetet në Austri i kanë ngritur kallëzim penal dhe i kanë kërkuar të kthejë 9 mijë euro të përfituara nga ndihma sociale një kosovari, i cili jetonte atje, por merrte pension dhe kishte shtëpi në Kosovë.
Media austriake Kosmo.at raporton se rasti u zbulua gjatë kontrolleve nëpër banesa të kryera nga zyrtarët komunalë në qytetin e Welsit.
“Në rastin e parë, një burrë kishte në pronësi një shtëpi në Kosovë dhe gjithashtu merrte pension atje. As pronësia e shtëpisë dhe as pensioni nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve. Komuna ia ndërpreu ndihmën sociale, ngriti kallëzim ndaj tij dhe i kërkoi kthimin e afro 9 mijë eurove, shumë të cilën ai e pagoi me këste”, shkruan Kosmo.
Në një rast të dytë në këtë qytet, një përfitues i ndihmës sociale nuk ishte gjetur në banesë gjatë disa kontrolleve, pasi qëndronte rregullisht me javë të tëra në Turqi. Autoritetet ia ulën në mënyrë retroaktive pagesat e ndihmës sociale dhe gjithashtu ngritën kallëzim ndaj tij.
Në Kosovë ka pasur raportime dhe dyshime se një numër i konsiderueshëm i personave që jetojnë në diasporë vazhdojnë të përfitojnë nga shtesat për fëmijë dhe skemat e tjera të ndihmës financiare.
Në fakt, për habi, kishte qenë vetë kryeministri Albin Kurti ai që kishte nxitur këtë mënyrë përfitimi.
VOX Kosova kishte raportuar për thirrjen e tij që edhe diaspora të përfitonte nga skemat e shtesave.
Kjo çështje është shndërruar në debat politik edhe në qytetin austriak të Linzit, sidomos pas rasteve të zbuluara në Wels.
Këshilltari për siguri nga Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ), Michael Raml, thotë se këto raste e konfirmojnë kërkesën e tij për krijimin e një “task-force” të posaçme kundër mashtrimeve me ndihmën sociale.
“Ndërsa Welsi, nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, Andreas Rabl, kontrollon vazhdimisht dhe zbulon mashtrimet me ndihmën sociale, SPÖ-ja në Linz deri më tani e ka refuzuar kërkesën tonë për krijimin e një grupi të veçantë monitorues. Megjithatë, rastet konkrete në Wels tregojnë se sa të rëndësishme janë këto kontrolle në terren”, ka deklaruar ai, shkruan Kosmo.
FPÖ-ja kishte paraqitur që në korrik të vitit 2025 një mocion në këshillin komunal të Linzit për krijimin e një grupi të veçantë mbikëqyrës. Megjithatë, mocioni ishte rrëzuar për shkak të shumicës së përbërë nga SPÖ-ja dhe të Gjelbrit.
Sipas Ramlit, Linzi shpenzon rreth 10 milionë euro në vit për ndihmën sociale.









