“E kur jemi tek fëmijët në mërgatë, përveç se t’i regjistroni në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, ju lutem t’i regjistroni edhe në sistemin e gjendjes civile. Mos e leni për më vonë, sa më herët aq më mirë. Që do të thotë, qysh dje regjistroni fëmijët tuaj në sistemin e gjendjes civile, sepse në këtë mënyrë, në Republikën e Kosovës, nga shteti juaj e i ynë i pavarur, ata fitojnë e gëzojnë të drejta që u takojnë e i meritojnë“.

Kur i nevojiteshin për vota, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u bënte ftesë mërgimtarëve që ta shkelin ligjin kolektivisht, duke i ftuar ata, ndonëse nuk jetojnë në Kosovë, të përfitojnë nga sistemi.

Por, fare shkurt pasi ua kapi votat, Qeveria ka nisur t’i hetojë krejt personat që jetojnë në perëndim e marrin shtesa për fëmijët në Kosovë.

Kanë filluar t’i verifikojnë secilin, një për një.

Nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare e kanë pranuar se ka pasur përfitues që nuk kanë qenë banorë të Kosovës dhe se një numër i konsiderueshëm i tyre i janë nënshtruar kontrollit. Sipas Ministrisë, procesi i verifikimit është duke vazhduar.

Kurti e dinte se marrja e shtesave nga persona që nuk jetojnë në Kosovë është e kundërligjshme, sepse vetë Qeveria e tij i ka hartuar kriteret se kush mund të jetë përfitues nga kjo skemë e kush jo.

Udhëzuesi për zbatimin e masës për shtesat për fëmijë dhe shtesat për lehona, tek pika 1.1, përcakton se “të drejtën në përfitime dhe në mbështetje në kuadër të Programit të Shtesave për Fëmijë e kanë të gjithë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare që kanë shtetësi dhe janë rezidentë në Republikën e Kosovës”.

Pra, që janë rezidentë.

Të tjerët, që nuk jetojnë në Kosovë, në asnjë formë nuk i plotësojnë kriteret për përfitimin e këtyre shtesave.

Por, pse i ftonte Kurti mërgimtarët të regjistrohen për shtesa kur e dinte se është e kundërligjshme?

Përgjigja është e thjeshtë: i duheshin për vota.

Përfitimi i shtesave nga persona që nuk jetojnë në Kosovë krijon një situatë paradoksale: është njësoj sikur një person që jeton dhe punon jashtë vendit të detyrohej ta paguante tatimin mbi pagën e tij në Kosovë.